Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka thënë se subjekti i tij politik synon t’i marrë 20 deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Haradinaj u shpreh se kjo mund të arrihet për shkak të elektoratit të tij dhe njerëzve që janë pjesë e këtij subjekti politik.
“Matematika jonë është shumë e thjeshtë. Domethënë mendimin e kemi për me dalë 20 deputetë plus. Ky është qëllimi dhe është pretendim real. Nuk jemi duke parë ëndrra, por në bazë të asaj që shohim në terren, në bazë të listës po ashtu, të kaluarës tonë, në bazë të kryetarëve të komunave që kanë punuar fort”.
“Aleanca është më e madhja në pushtet lokal. Ne jemi me shtatë komuna në nivel të qeverisjes. Jemi partia e parë dhe ajo ka me u përkthyer në votë detyrimisht. Në 13 komuna bashkëqeverisim”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai shtoi se Albin Kurti dhe partia e tij nuk mund t’i fitojnë 50 për qind të votave.
“Ka kalu koha e Ibrahim Rugovës, mos të shohin ëndrra se i fitojnë 50%”, tha Haradinaj në Kanal10, gjersa shtoi se pas zgjedhjeve, mund të hyjnë në koalicion me Nismën Socialdemokrate, nëse këta të fundit, arrijnë ta kalojnë pragun.