Ramush Haradinaj sot është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjë e cila i mundëson atij të drejtojë këtë parti edhe për katër vite tjera.
Haradinaj ka falënderuar të gjithë delegatët e Kuvendit të Nëntë Zgjedhor, të AAK-së, pasi u zgjodh edhe për katër vjet tjera në krye të kësaj partie, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka shkruar në Facebook se në kuvend u morën vendime shumë të rëndësishme me efekt të jashtëzakonshëm në jetën politike.
“Asociacioni i komunave të Aleancës, depërtimi i organizimit tonë në çdo vendbanim të Kosovës dhe trupat e ekspertëve në fushat më të rëndësishme, janë përgjigja më e mirë e Aleancës ndaj oportunistëve dhe popullistëve në skenën politike të këtij vendi“, ka shkruar ai.
Ai po ashtu ka falënderuar nga zemra mbështetësit, për votën plebishitare, që i mundëson atij të udhëheqë AAK-në.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me frymën e unitetit që sot e pashë në Kuvendin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Aleancë, na priftë e mbara“, ka shtuar Haradinaj.