image Haradinaj e Pacolli reagojnë për vdekjen e dy fëmijëve kosovarë në Francë

Reagim/ Haradinaj e Pacolli reagojnë për vdekjen e dy fëmijëve kosovarë në Francë

news image

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli, kanë reaguar pas vdekjes së dy fëmijëve nga Kosova në lumin e Francës.

Haradinaj u ka shprehur ngushëllime familjarëve për vdekjen tragjike të dy fëmijëve të cilët i takonin moshës 2 dhe 5 vjeçare.

“Tragjike, lajmi për dy fëmijët nga Kosova që humbën jetën aksidentalisht duke rënë në lum në qytetin Montbrison, Loire të Francës. U shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ndërkohë, Pacolli ka thënë se me dhimbje të thellë e mori lajmin për vdekjen e dy fëmijëve kosovarë, ndërsa theksoi se misioni diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për familjen në këto momente të vështira.

“Me dhimbje të thellë kam marrë lajmin për vdekjen e dy fëmijëve kosovar në Francë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit e fëmijëve, familjen dhe miqtë e tyre. Mendimet tona janë me ata në këto momente të vështira dhe misioni ynë diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për ata në këto momente të dhimbshme”, tha Pacolli.

Ndryshe, dy fëmijë, njëri 5-vjeç e tjetri vetëm 2-vjeç, që të dy shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën pasi kanë rënë në lumin Le Moingt në Montbrison të Francës.

Mediat franceze shkruajnë se të dy fëmijët vëlla e motër ishin duke luajtur buzë lumit, kur më i vogli ra në ujë dhe motra që besohet të jetë më e madhe ka tentuar ta shpëtojë por e ka pësuar edhe ajo pasi është rrëmbyer nga uji.

Sipas autoriteteve franceze, nëna e fëmijëve ishte e pranishme dhe tentoi t’i shpëtonte, por nuk ia doli e vetme. Thirrjes së saj për ndihmë iu bashkuan edhe të tjerë dhe shërbimet e urgjencës por ishte tepër vonë./Gazeta Sinjali/