Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka mbështetur vrasjen e gjeneralit të Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimanit.
Haradinaj ka shkruar se Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të SHBA-së në të drejtën për vetëmbrojtje, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të ShBA-ve në të drejtën për vetëmbrojtje. Veprimet e fundit vetëmbrojtëse ndaj Gjeneral Soleiman-it janë mbrojtje, jo vetëm për ShBA-të por për lirinë dhe demokracinë gjithandej”, ka shkruar Haradinaj.
“Ne dënojmë ashpër sulmet e Iranit dhe çdo shteti që kërkon të shkatërroj paqen në Irak dhe vendet tjera. Në këto tensione Irani dhe përkrahësit e këtij shteti duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm që te mos eskalojnë situatën”, ka shkruar ai më tej.
Haradinaj tha se Kosova qëndron pranë Amerikës dhe do ta shtojë përkrahjen ndaj Koalicionit Global të udhëhequr nga ShBA-të. /Gazeta Sinjali/