Sipas nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të luftës, Nasim Haradinajt, qëllimi i Gjykatës Speciale është ulja dhe denigrimi i vlerave të luftës. Prandaj ai e sheh si të domosdoshme zhbërjen e kësaj gjykate, e cila siç thotë ai është krijuar nga vija ruse me mbështetjen e Serbisë dhe i ngjan një gjykate të Millosheviqit.
“Gjykata Speciale është krijuar nga vija ruse me mbështetje të Serbisë dhe aprovuar nga deputetët tanë. Ftesat e Gjykatës Speciale i ngjajnë ftesës së Rrahman Morinës dhe Isuf Karakushit, e gjykata i ngjanë një gjykate të Millosheviqit. Do të bëjmë çmos për ta zhbërë Gjykatën Speciale“.
Haradinaj thotë se e pret një ftesë nga kjo Gjykatë, pasi siç thotë ai vetëm ata që nuk kanë qenë në UÇK nuk do të ftohen.
“Nuk befasohem nëse ftohem nga Gjykata Speciale. Qëllimi i Gjykatës Speciale është ulja dhe denigrimi i vlerave të luftës. Gjykata ka qëllim ta barazoj agresorin me viktimën. Gjykata gjykon vetëm pjesën shqiptare. Ata që nuk kanë qenë në UÇK nuk do të ftohen “, tha nënkryetari i OVL-UÇK-së.
Haradinaj vlerëson se duhet të kriminalizohen edhe shtetet që na kanë ndihmuar, nëse kriminalizohet Kosova.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur resurse për të bërë gjenocid. Nëse UCK po synon të kriminalizohet atëherë duhet të kriminalizohet edhe 27 shtetet që na kanë ndihmuar “, ka thënë Haradinaj./Gazeta Sinjali/