image Haradinaj: BE-ja të ndërhyjë te Beogradi që t’i zbatojë marrëveshjet dhe të mos provokojë

Politikë

Haradinaj: BE-ja të ndërhyjë te Beogradi që t’i zbatojë marrëveshjet dhe të mos provokojë

news image

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata në veri është e papranueshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai në Facebook i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërhyjnë tek Beogradi dhe të kërkojnë nga ta që të mos e provokojnë situatën.

“Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara”, ka shkruar ai.

Ndryshe, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë orëve të mbrëmjes do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë. 

Postimi i plotë

Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme.

E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit.

Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj.

Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara! /Gazeta Sinjali/