image Hapja e Urës së Ibrit: Vendimi mirëpritet vetëm nga Qeveria, KFOR dhe BE e kundërshtojnë

Politikë

Hapja e Urës së Ibrit: Vendimi mirëpritet vetëm nga Qeveria, KFOR dhe BE e kundërshtojnë

news image

Kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nedzat Ugljanin, njoftoi dy ditë më parë se është marrë vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

Sipas tij, kjo erdhi me propozim të delegates Aida Doli, për çka 13 vota ishin pro, një kundër nga komuniteti serb dhe një abstenim nga komuniteti shqiptar që kërkoi të shtyhet vendimi.

Qeveria e Kosovës ndërkohë ka bërë të ditur se e përkrah vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim.

Qeveria ka argumentuar se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës së Kosovës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjitha vendbanimet e Kosovës. Sipas tyre, çdo pengesë në lirinë e lëvizjes shkel këtë të drejtë themelore, prandaj vendimi për heqjen e pengesave të tilla është i drejtë dhe i nevojshëm.

“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur.” – thuhet në përgjigjen e Qeverisë për televizionin publik.

Me vendimin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim s’u pajtua emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai e cilësoi momentin si “jo të duhur”, duke thënë se duhet të përballemi me këtë në baza ditore derisa të flasim, dhe se atmosfera në Mitrovicë nuk është e duhur për këtë hapje.

“Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë. Për këtë, unë dua që të përdor këtë panel që të dërgoj një mesazh, kjo është platformë e drejtë, ky plan, është një plan “win-win”, ka shumë përfitime për të dyja palët, duhet të respektojnë vijat e kuqe. Ky plan do të sjellë stabilitet për rajonin, duhet të normalizohen marrëdhëniet.” – tha ai.

Kundër vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut u deklarua edhe misioni i KFOR-it në Kosovë.

Misioni i KFOR-it bëri me dije se rihapja e Urës së Ibrit për qarkullim të makinave është një problematikë që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.

Ky qëndrim i KFOR-it erdhi pasi në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut një asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë iniciativë për të bërë një kërkesë tek autoritetet qëndrore për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR për rtv Dukagjinin.

E ky vendim sigurisht se nuk i ka pëlqyer as Listës Serbe, ku kanë lëshuar kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente.

Në një reagim të lëshuar, nga kjo parti e kanë quajtur vendimin që u mor me shumicë votash si “jolegjitim” dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës”, thuhet në reagim.

/GazetaSinjali/