image Hapen lokalet duke e shkelur urdhrin e Qeverisë, arrestohen 13 persona në 9 qytete të Kosovës

Kosovë

Hapen lokalet duke e shkelur urdhrin e Qeverisë, arrestohen 13 persona në 9 qytete të Kosovës

news image

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë, janë arrestuar 13 persona në 9 qytete të Kosovës për mosrespektimin e urdhërit të qeverisë përgjatë kohës së pandemisë.

Policia e Kosovës bën të ditur se të gjithë këta persona janë arrestuar për hapjen e dyqaneve dhe lokaleve, shkruan Gazeta Sinjali.

Një person është arrestuar dje rreth orës 15:30 në qytetin e Podujevës, pasi është hasur duke punuar në bilardo. Raportohet se me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Dy persona të tjerë janë arrestuar në qytetin e Prizrenit, pasi që kishin hapur lokalet e tyre duke mos e respektuar vendimin e qeverisë. Bëhet e ditur se të dyshuarit pas intervistimit janë liruar dhe rastet kanë vazhduar në procedurë të rregullt.

Edhe në qytetin e Suharekës gjatë ditës së djeshme është arrestuar një person, pasi që kishte hapur lokalin. Policia bën të ditur se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Dy persona të tjerë janë arrestuar në qytetin e Pejës, pasi kishin hapur lokalet e tyre kështu duke mosrespektuar vendimin e qeverisë që lokalet të mbyllen për shkak të parandalimit të koronavirusit. Policia bën të ditur se të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar tre persona në qytetin e Istogut. Kjo pasi që të dyshuarit kishin hapur lokalet e tyre, duke mos e respektuar vendimin e qeverisë. Raportohet se pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Dy persona të tjerë janë arrestuar në Malishevë, pasi janë hasur duke punuar në dyqanet e tyre, Policia bën të ditur se pas intervistimit, rastet kanë vazhduar në procedurë të rregullt.

Gjatë ditës së djeshme janë bërë arrestime edhe në qytetin e Mitrovicës dhe Gjakovës. Në Mitrovicë është arrestuar një person pasi ka punuar në lokalin e tij, duke mos e respektuar vendimin e qeverisë. Raportohet se rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Edhe në qytetin e Gjakovës është arrestuar një person për shkak të mosrespektimit të vendimit të qeverisë që të mos hapen lokalet për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Policia bën të ditur se pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Qeveria e Kosovës për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit ka marrë vendim që të mbyllë dyqanet, lokalet, restoranet, kafenetë.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 33 raste me koronavirus dhe është shënuar një viktimë./Gazeta Sinjali/