image "Merre ose leje", Kurti: Ndërkombëtarët ma bënë të qartë se refuzimi i propozimit evropian, çon në ndëshkimin e Kosovës

Politikë

“Merre ose leje”, Kurti: Ndërkombëtarët ma bënë të qartë se refuzimi i propozimit evropian, çon në ndëshkimin e Kosovës

news image

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në lidhje me planin franko-gjerman. Ai ka thënë që Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.

Ai ka treguar edhe detaje të reja lidhur me takimet me emisarin e BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, dhe emisarët e vendeve të tjera të fuqishme.

Kurti tregoi se versioni i dytë i planit franko-gjerman ka qenë merre ose leje. Nëse Kosova do të thoshte jo, atëherë do të kishte ndëshkime.

“Versioni i dytë ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur prapa në asnjë nga parimet që ngërthente dokumenti i parë. Dokumenti kryesor kësaj radhe kishte plan zbatimi. Me datë 20 janar 2023, emisarët që shoqëruan Lajçakun, amerikan, gjerman, francez, e italian, dhanë disa qëndrime. Ata më bënë të qartë se propozimi kryesor këtë herë është fare pranë merre ose leje. Nuk do të lejohet hapja apo negocimi i tij. I gjithë aparati diplomatik e politik i shteteve është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nuk pritej jo nga Kosova, sepse do të hynim në rrugë konfrontimi me ta. Çfarëdo refuzimi do të shoqërohet hapa kundërshtues e ndëshkues në hapa diplomatik për Kosovën. Unë ia dhashë komentet e mia qysh në fillim të atij takimi. Edhe herën e parë edhe herën e dytë i kam ofruar të shkruara”, tha Kurti.

“Është i pranueshëm por duhet të përfshijë më shumë elemente garantuese lidhur me anëtarësim në organizata ndërkombëtare, njohjeve. Pas vizitës më 6 shkurt dhe qartësimit të disa prej mekanizmave që do të negociohen në planin e zbatimit, konfirmova që propozimi franko-gjerman është bazë e mirë për bisedime të mëtejme. Pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i planit të zbatimit.

Pranimi i propozimit kryesor përbën hap përpara. Plani kryesor nuk ka asnjë referencë për Asociacionin, edhe pse flet për të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Për Asociacionin do të flitet në procesin ku flitet për nisjen e zbatimit. Aty qëndrimi im do të jetë Asociacioni zbatohet nëse plotësohen gjashtë kushtet”, deklaroi ai.

/GazetaSinjali/