image Hamza premton fond prej 1 miliard eurosh për ekonominë kosovare - Sinjali

Hamza premton fond prej 1 miliard eurosh për ekonominë kosovare

news image

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e ka prezantuar planin e kësaj partie për rimëkëmbje ekonomike, para zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.

Derisa ka kritikuar Qeverinë Hoti dhe atë të kaluarën, Qeverinë Kurti, se s’kanë bërë asgjë për rimëkëmbje, tha se PDK-ja do ta realizojë një gjë të tillë.

Hamza tha se do ta mbështesin në vazhdimësi sektorin privat, gjithashtu, ka premtuar 1 miliard euro për ekonominë.

Nëse i referohemi të dhënave të BQK-së, me këtë ritëm do të ketë rënie ekonomike. Por me qeverinë tonë, do të ketë rritje deri në 7 për qind. Fokusi ynë do të jetë në sektorin privat. Parashikojmë një fond në mbi 1 miliard euro me qëllim që ta përkrahim ekonominë”, u shpreh Hamza në një video të drejtpërdrejt në Facebook.

Hamza ka premtuar edhe kontribute financiare për ndërmarrjet private.

“Mbi 500 milionë euro do të ketë kontribute financiare pa kthim për ndërmarrjet private. Mbi 200 mln vetëm për vitin 2021. Përveç fondit mbi 500 mln, ne do të vazhdojmë me subvencionimin e normave të interesit 100 për qind, kjo si përkrahje për bizneset”, u shpreh Hamza.

Sipas Hamzës, Qeveria e PDK-së do të marrë përsipër pagesat e shumës së interesit të huamarrjes që janë marrë në bankat komerciale të Kosovës nga prodhuesit të cilët eksportojnë mallra jashtë Kosovës, ndërmarrjet të cilat merren me agrobiznes dhe përpunimin e produkteve agrare.

Ka folur gjithashtu për Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH). Hamza tha se nuk do të paguhet nga ana e biznesit në kufi siç ka ndodhur deri tash, por pagesa e TVSH-së do të bëhet në brendi të vendit. Ai ka premtuar gjithashtu tatimin në të Ardhura të Korporatave që do të ulet për disa vite të caktuara nga 10 %, sa ishte deri më tani, në 8%, 7%, 5% dhe 0% varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve.

Hamza ka thënë gjithashtu se do të futen skemat e garancisë për të forcuar pozicionet e kolateralit në hua, ndërkaq fondet për këto skema do të sigurohen nga shteti, do të rregullohet çështja e trajtimit të Hipotekave dhe e lartësisë së hipotekës që vendosen të merren për kredi.

“Për çdo vit do të krijohet një linjë buxhetore në shumën prej 15 milionë eurosh në buxhetin e shtetit për t’i mbështetur financiarisht nëpërmjet granteve (para pa kthim) të rinjtë dhe të rejat që kanë ide biznesi në formë të vetëpunësimit”, shtoi Hamza.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: