image Hamasi sulmon me raketa, Izraeli sulme nga ajri

Botë

Hamasi sulmon me raketa, Izraeli sulme nga ajri

news image

Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në Gaza në mëngjesin e së shtunës (15 maj) ndërsa militantët e Hamasit u përgjigjën duke qëlluar me raketa.

Derisa luftimet hynë në natën e pestë, mjekët palestinezë thanë se të paktën shtatë persona u vranë në një sulm ajror në veri të Gazës. Në dy qytete në jug të Izraelit u lëshua alarmi që paralajmëronte për sulme me raketa nga grupi Hamas.

Palestinezët thanë se më 14 maj, 11 njerëz u vranë në përleshjet në Bregun Perëndimor midis protestuesve dhe forcave izraelite të sigurisë.

Pesëdhjetë të tjerë u plagosën nga plumbat prej gome të forcave izraelite, tha ministria palestineze e Shëndetësisë.

Që nga 10 maji të paktën 132 njerëz janë vrarë në Gaza, duke përfshirë 32 fëmijë dhe 21 gra dhe 950 të tjerë të plagosur, njoftuan zyrtarët mjekësorë palestinezë. Tetë persona kanë vdekur në Izrael.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një emisar në përpjekje për të ndihmuar në uljen e dhunës dhe arritjen e një armëpushimi.

Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet e Izraelit dhe palestinezëve, Hady Amr, do të marrë pjesë në bisedime me zyrtarë izraelitë, palestinezë dhe të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e tij po ndodhë përpara një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mbahet të dielën. Ambasada e SHBA-së në Izrael tha se qëllimi i udhëtimit të tij ishte të “ritheksohet nevoja për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme”.

Ministrat e jashtëm të Egjiptit dhe Jordanisë diskutuan përpjekjet për t’i dhënë fund konfrontimit dhe për të parandaluar “provokimet” në Jerusalem.

Emiratet e Bashkuara Arabe të premten bënë thirrje për një armëpushim.

Dhuna e kësaj jave në Gaza dhe Izrael është më e keqja që nga viti 2014.

Ajo erdhi pas disa javë tensionesh izraelito-palestineze në Jerusalem, që kulmoi me përplasjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.

Hamas – grupi militant islamik që sundon Gazan – filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse.

Izraeli, SHBA-ja dhe një sërë vendesh e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.

Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.

/GazetaSinjali/