Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti i është drejtuar me thirrje publike, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me kërkesën për ndihmë rreth vaksinave antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
“Thirrje publike kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Vëlla i dashur Edi, kryeministër i Shqipërisë, marrë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë me pandeminë COVID-19, dhe në anën tjetër, neglizhencën e institucioneve të vendit për të siguruar vaksinën, të bëj thirrje që të hapni disa qendra vaksinimi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, shkroi Haliti në Facebook.
Sipas Halitit, ky veprim do të ishte i mirëpritur dhe i domosdoshëm në këtë kohë të ligë.
“Prandaj, vepro sa më shpejt si me rastin e punëtorëve shëndetësorë të Kosovës, për të shpëtuar jetë njerëzish. Unë dua të vaksinohem me cilëndo vaksinë që janë duke u vaksinuar bashkëkombësit e mi në Shqipëri. E, si unë janë shumë në Kosovë. Kryeministër na ndihmo të lutem që ta kalojmë edhe këtë sfidë që e ka goditur njerëzimin”, shkroi Haliti. /Gazeta Sinjali/