Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti pas sulmit terrorist të së dielës mbi Policinë e Kosovës nga një grup kriminelësh serbë, tha se e vlerëson ndërhyrjen e NATO-s për të dërguar trupa shtesë në veri të Kosovës.
Haliti e konsideroi këtë si një veprim të duhur, sepse siç shprehet ai, nëse NATO nuk do të ndërhynte Vuçiq mund të sulmonte përsëri, pasi sulmi i ndodhur në veri sipas deputetit ngjason shumë me ngjarjet e ndodhura në territoret e Ukrainës, Donbas ku nisi lufta.
“Sulmi në veri ka shpërthyer para kohës se që e kanë menduar ata. Ky sulm i ngjason shumë ngjarjeve që kanë ndodhur rreth Donbas, këtyre territoreve ku po luftohet me Ukrainën. Është skenar thuajse i njëjtë. Ndaj them se NATO ka përgjegjësinë, e ka marrë detyrën nga Këshilli i Sigurimit dhe unë mendoj se do të marrë masa që mos të ndodhin situata të cilat do e përkeqësonin gjendjen”, tha Xhavit Haliti për Euronews Albania.