Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se është shqetësuese dhe e dëmshme të bëhet një ndarje të tillë në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
Ajo ka kritikuar Qeverinë e vendit për refuzimin e kërkesës së SHBA-ve për shtyrje të vendimit për targat.
Ndërsa e quan “papjekuri politike” qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Postimi i plotë:
Të bësh një ndarje të tillë në mes të Kosovës dhe aleatit tonë më të rëndësishëm, ShBA-ve, me ata me të cilët bashkërrugëtuam në përpjekjen tonë për liri, pavarësi e shtetndërtim, jo vetëm që është shqetësuese, por edhe e dëmshme për vendin. Pikërisht, janë ShBA-të vendi që e ndihmoi Kosovën të krijojë rend e rregull. Kjo papjekuri politike, edhe historinë po e kthen në konsum popullist ditor shkurtpamës, pa çarë kokën për pasojat afatgjate të këtij amatorizmi të skajshëm. Shtëpia pa miq nuk mbahet, politika në përgjithësi – e diplomacia në veçanti, me ‘sovranistë’ të padijshëm nuk zhvillohet.