Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi e ka komentuar takimin e djeshëm në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryeministri Kurti në takimin e djeshëm është pajtuar të amnistoj Serbinë nga krimet e luftës, duke i lënë vetëm një rrëfim historie.
“Qytetarët tanë humbën vite duke u mashtruar e manipuluar me kauzat fiktive të Vetëvendosjes, vetëm për të marrë pushtetin. Ndërsa, sot jo vetëm i braktisën të gjitha, por edhe në marrëveshjen nga takimi i djeshëm në Bruksel, kryeministri u pajtua ta amnistoj Serbinë nga krimet e luftës, duke i lënë vetëm një rrëfim historie”, ka shkruar Halimi.
Tutje, ajo ka theksuar se VV-ja është partia që duhet të përfshihet si studim në ligjërimet e shkencave humane dhe sociale, pasi sipas saj, ajo i përdorë fatkeqësitë e vendit për ta rritur frymën populliste dhe fuqinë manipuluese.
“Vetëvendosje është partia që duhet të përfshihet si studim në ligjërimet e shkencave humane dhe sociale; ajo që prekë në sentimentin e ndjeshëm të qytetarëve vetëm për pushtet dhe fatkeqësitë e vendit i përdorë për ta rritur frymën populliste dhe fuqinë manipuluese”, përfundon statusi i saj.