image Hakerohet faqja e ministrisë së Arsimit në Maqedoninë e Veriut

Rajon

Hakerohet faqja e ministrisë së Arsimit në Maqedoninë e Veriut

news image

Faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni të Veriut është përballur të shtunën me një sulm kibernetik.

Për disa orë, në faqen e kësaj ministrie u shfaq mesazhi, “Hakuar nga ekipi grek i hakerëve Netwatchers” , teksa kur klikon në faqe shfaqej një video në YouTube me titullin “Maqedonia e famshme”.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kanë thënë se “nuk ka vend për shqetësim lidhur me pohimet për rrjedhjen e supozuar të të dhënave të qytetarëve, sepse faqja e internetit nuk ka baza të tillë të dhënash”.

Në njoftimin e Ministrisë së Arsimit së Maqedonisë së Veriut, thuhet se “ekspertët po ndërmarrin veprime për rritjen e sigurisë së faqes së internetit, dhe vetëm më pas ajo do të aktivizohet”.

Sulmi kibernetik ndaj faqes së internetit të Ministrisë së Arsimit, ka ardhur pasi të enjten një grup tjetër hakerësh në platformën sociale Twitter, ka kërcënuar se do të sulmojë këtë faqe dhe t’i shkarkojë të dhënat që janë në të, nëse nuk i vendoset flamuri bullgar.

Sulme kibernetike ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut kanë ndodhur edhe vitin 2021 kur është sulmuar faqja e internetit e Entit Shtetëror të Statistikave.

Në shënjestër të sulmit ka qenë sistemi i regjistrimit të popullsisë.

Sulme kibernetike, ditëve të fundit kanë raportuar edhe Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Më 6 shtator, qeveria e Kosovës ka njoftuar se disa web-faqe të institucioneve të shtetit kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik, por nuk ka specifikuar cilat.

Sulmi, megjithatë, nuk ka arritur të depërtojë brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror, pasi që, siç është thënë, “është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”.

/GazetaSinjali/