Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe familja Shabani në fshatin Kçiq i Vogël në Mitrovicë, ku hajnat kanë bërë kërdi, të enjten në mbrëmje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari i shtëpisë e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur rreth 11 mijë euro para të gatshme dhe stoli të arit në vlerë prej mbi 12 mijë euro.
Sipas deklaratës së viktimës, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e denoncimit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë pasi dera ka qenë e mbyllur, me ç’rast kanë demoluar shtëpinë dhe më pas kanë vjedhur paratë dhe arin.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.