Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar sulmin terrorist në një ceremoni martesore në Kabul, me ç’rast u vranë 63 persona.
“Sekretari i përgjithshëm dënon sulmin e tmerrshëm terrorist në një martesë në Kabul që vrau 63 njerëz dhe plagosi më shumë se 180,” tha zëdhënësi i Guterres Stéphane Dujarric.
Guterres shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, qeverinë dhe popullin e Afganistanit dhe u uroi të plagosurve një shërim të shpejtë.
Përgjegjësia për sulmin e djeshëm është marrë nga një degë e Shtetit Islamik në Afganistan.
Sulmi vjen në një kohë kur talebanët dhe SHBA-ja po negociojnë një marrëveshje që do të parashikonte tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani, në këmbim të kthimit të talebanëve në bisedimet për paqe me qeverinë në Kabul. /Sinjali/