Një grua shtatëzënë është sulmuar fizikisht nga dy burra dhe më pas i janë prerë flokët, në fshatin Marinaj të Librazhdit.
Rasti ka ndodhur rreth orës 22.30 të mbrëmjes së të enjtes, teksa gruaja ishte shtrirë për të fjetur bashkë me dy fëmijët e saj të mitur.
Jetmira Gega raportoi në polici se në mbrëmje dëgjoi thyerjen e xhamit të kuzhinës.
“Kyça fëmijët në dhomë dhe dola të shihja çfarë kishte ndodhur. Në kuzhinë u përballa me dy burra me maska, ku njëri ishte fshehur pas sobës dhe tjetri ishte në këmbë. Tentova të largohesha por njëri më kapi nga dora dhe tjetri më preu flokët me gërshërë”, tregoi gruaja.
Ajo thotë gjithashtu se autorët i kanë thënë se “Kemi ardhur për një çështje borxhi…”
Jetmira Gega kujton se njëri prej tyre e çau me xham në faqe dhe se më tej nuk mban mend asgjë, pasi humbi ndjenjat.
Gruaja shtatzënë thotë se kur u përmend kërkoi ndihmë tek xhaxahi i burrit, ndërsa i shoqi nuk ndodhej në shtëpi, pasi ishte në punë.
Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive grabitje, teksa vjehrri i së resë thotë se dyshon tek një person me të cilin, disa vite më parë kishte debatuar për shitjen e një mushke, raportojnë mediat në Shqipëri.
“Kam shitur një mushkë me lekë, por blerësi ma ktheu, e mori prapë dhe ma ktheu prapë. Mbase gabohem, por aty dyshoj”, ka thënë Ferit Gega për mediat, ndërsa pretendimet e tij i ka dhënë edhe në polici. Ndërkohë gruaja e dhunuar ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve./Gazeta Sinjali/