Ivana Nikoliq, gruaja e ish-policit të arrestuar Dragan Nikoliq nga Leposaviqi, ka thënë se burri i saj është arrestuar më 10 prill kur po kthehej nga Serbia në Kosovë.
“Ne na kanë ndaluar në postbllokun e Serbisë në Jarinjë, na kanë kërkuar dokumente. Ai i ka dhënë dokumentet e Kosovës pasi targat e veturës i kemi RKS. Na thanë të prisnim dhe pastaj erdhi një veturë me regjistrim të Beogradit, oficerët që nuk na treguan letërnjoftimet, më thanë se ai do të shkonte në një intervistë informative në Rashkë ose Kralevë. Ai shkoi në intervistë, nuk ishte as Rashkë as Kralevë, ishte në Beograd. Këtë e mora vesh kur më thirri të nesërmen në dhjetë e gjysmë”, thotë Nikoliq.
Ajo shton se bashkëshorti i saj ka punuar 20 vite në Policinë e Kosovës dhe me ftesë të shtetit serb është larguar si gjithë të tjerët më 5 nëntor të vitit të kaluar, raporton N1.
“Ka nënshkruar kontratë me komunën, ndërsa muajin e kaluar i është ndalur rroga nga shteti serb. Ne i mbajmë tre fëmijë me atë pagë, nuk kemi asnjë të ardhur tjetër”, thotë politikania serbe.
Ajo thotë se do të merr pjesë në zgjedhjet për katër komunat e veriut të Kosovës, të cilat do të mbahen më 24 prill (e dielë).
Nikoliq do të kandidojë për këshilltare në komunën e Leposaviqit nën siglën e Partisë Serbe të Kosovës.