Qytetarë të shumtë në vend po preken nga gripi sezonal, i cili thuhet se ka kaluar pragun endemik. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është bërë e ditur se edhe virusi A (H1N1), i cili te qytetarët është i njohur si gripi i derrit, vazhdon të qarkullojë.
Gripi në Kosovë ka kaluar pragun endemik.
Kështu është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend, nga i cili u tha se nga 1 tetori i vitit 2019 e deri më 9 shkurt 2020 janë testuar gjithsej 522 mostra të dyshimta në grip, ku 214 mostra kanë rezultuar pozitive, prej të cilave 98 pozitive në grip A dhe 116 pozitive në grip B.
“Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike, që po mbretëron në Kosovë, pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm”, është thënë nga ky Institut.
Edhe nga Klinika Infektive në QKUK është konfirmuar për gazetën se ka pacientë të prekur me influencën A, derisa me influencën B, sipas tyre ka të prekur edhe fëmijë.
Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për “Zërin” se kohëve të fundit është rritur numri i fëmijëve të prekur me grip, kështu edhe është rënduar situata sa i përket gripit.