Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në Athinë, duke përmbytur shumë shtëpi dhe objekte tregtare.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se shërbimi zjarrfikës ka marrë më shumë se 400 telefonata për evakuime ose përmbytje, ndërkaq dhjetëra pemë janë rrëzuar duke shkaktuar dëme në automjete.
Trafiku në rrugët e Athinës është kaos, ku shumë ura dhe nyje lidhëse të arterieve kryesore të kryeqytetit janë përmbytur.
Aktualisht nuk raportohen për dëme në njerëz, edhe pse autoritetet kanë apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë 24 orëve të ardhshme, pasi reshjet e shiut pritet të vazhdojnë.
Meteorologët kanë njoftuar për një sasi rekord reshjesh, të cilat pritet të bien mbi territorin e vendit.
Stuhia “Balos” ka prekur pothuajse gjithë territorin e vendit, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin, veçanërisht në zonat periferike të Atikës dhe Evias, të cilat u dogjën nga zjarri verën e kaluar.
Me vendim të prefekturës së Atikës, u vendos që shkollat të jenë të mbyllura gjatë ditës së premte, ndërsa në terren kanë dalë gjithë forcat e mbrojtjes civile, si dhe janë vënë në gatishmëri edhe ushtria dhe policia./GazetaSinjali/