Emisari Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një intervistë për mediat amerikane ka shpjeguar marrëveshjen ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Washington.
Grenell ka thënë se qëllimi i administratës Trump është të mundësojë investime amerikane në rajon për të larguar ndikimin rus në Ballkan, specifikisht në Serbi, transmeton Gazeta Sinjali.
Diplomati amerikan poashtu ka folur për Liqenin e Ujmanit, që sipas tij, ka të bëjë me studimin e fizibilitetit nga qeveria amerikane për të parë mundësitë e shfrytëzimit të ujit për qëllime energjetike.
“Ne do bëjmë një studim fizibiliteti të qeverisë amerikane në liqen që është i shfrytëzuar nga dy shtetet, pjesa më e madhe nga Kosova dhe pjesërisht nga Serbia sesi të gjendet mënyra për të shfrytëzuar ujin për çështje të energjisë”, ka thënë Grenell.
Ai ka theksuar se dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë.
“Dy shtetet janë pajtuar që t’i zgjerojnë burimet e tyre të energjisë që do të thotë se për Serbinë është shumë e rëndësishme pasi 100 për qind e energjisë së saj vjen nga Rusia dhe ata janë pajtuar që ta zgjerojnë burimin e tyre të energjisë që do të thotë të largohet nga Rusia” është shprehur Grenell teksa ka shtuar se lëvizja e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem do të thotë lëvizje e rajonit të Ballkanit Perëndimor në anën e Perëndimit dhe qëndrimit larg Rusisë dhe Kinës. /Gazeta Sinjali/