I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për një televizion amerikan, edhe njëherë ka theksuar se diplomacia amerikane është e interesuar të zgjidh çështjet ekonomike të të dyja palëve.
Grenell, ka thumbuar mënyrën se si ka vepruar BE lidhur me dialogun për kaq shumë vite, madje ai në televizionin Newsmax, ndërmjetësuesit e dialogut i ka quajtur “ekspertë të ashtuquajtur”.
“Ne vendosëm që të përfshihemi sepse ka pasur një histori të gjatë me shumë ekspertë, të ashtuquajtur ekspertë, të cilët i kanë shtyrë vetëm në probleme politike, duke injoruar ato ekonomike”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se të rinjtë në Kosovë e Serbi kanë nevojë për punë dhe shpresë, siç e theksoi Grenell
“Kur kam diskutuar për problemet e të rinjve në Kosovë dhe komunitetit të biznesit, po ashtu edhe në Serbi, ka qenë e qartë se dëshironin zhvillim të ekonomisë, kanë dashur punë të reja, kanë dashur shpresë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera në këtë intervistë diplomati ka folur edhe rreth marrëveshjeve të arritura për linjën ajrore, të cilën e ka quajtur historike duke thënë se u nënshkrua për herë të parë pas 21 viteve.
Kujtojmë se pala kosovare e përfaqësuar nga Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Avdullah Hoti, të shtunën e kësaj jave pritet të takohen në Washington me atë serbe, Aleksandar Vucicin e Ana Brnabicin.
Kjo tregon përfshirje më të madhe të SHBA’së në zgjidhjen e problemit mes dy vendeve si dhe rikthim në tavolinën e dialogut, pas më shumë se dy viteve./ Gazeta Sinjali/