Përfaqësuesi Special i presidentit Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar edhe njëherë që nuk e ka parë asnjherë një marrëveshje sekrete që flet për shkëmbim të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
Grenell ka thënë se kjo është vetëm thashethëm dhe se ata që nuk dëshirojnë ta besojnë nuk i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i bindin, përcjell Gazeta Sinjali.
““Kurrë. Kurrë nuk është ngritur si çështje në praninë time siç të thashë, kjo nuk është diçka që e kam parë ose që është folur për të. Dhe meqë ra fjala, më lejoni të jem shumë i qartë, e kam thënë edhe më parë, e kemi thënë në Twitter, kemi lëshuar deklarata për media, kur ato kanë kërkuar. Kjo nuk është hera e parë që kemi të qartë se këto janë thashetheme. E kemi thënë qe një kohë, por disa po zgjedhin të mos e besojnë dhe kjo nuk na përket neve. Ne vetëm mund të vazhdojmë të deklarojmë ato që i dimë se janë fakte dhe fakti është se unë kurrë nuk e kam parë atë marrëveshje dhe kurrë nuk është diskutuar, thjesht nuk është opsion”, ka thënë ai në Pressing të T7.
I pyetur nëse për të shkëmbimi i territoreve është një opsion i mirë, Grenell e ka përjashtuar këtë mundësi.
“Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion”, ka thënë emisari./Gazeta Sinjali/