image Grenell demanton raportimet se në Shtëpinë e Bardhë u diskutua ndarja e Kosovës

Politikë/ Grenell demanton raportimet se në Shtëpinë e Bardhë u diskutua ndarja e Kosovës

news image

I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, e ka demantuar specialistin e politikës së jashtme dhe pedagogun Edward Joseph, i cili tha se në takimin mes presidentëve në Shtëpinë e bardhë u diskutua për ndarjen e Kosovës.

“Qëllimi i takimit të Richard Grenell me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiq ishte të diskutonim një marrëveshje bazuar në parimin e ndarjes së Kosovës”, ka shkruar Joseph në Twitter.

Richard Grenell këtë deklaratë e ka quajtur lajm të rremë.

“Lajm i rremë, kjo nuk është diskutuar kurrë në praninë time. Edward Joseph është treguar i pamatur këtu”, shkroi emisari amerikan në Twitter.

Në postimin e Grenellit ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

“Absolutisht jo i vërtetë. Nuk mund të besoj se njerëzit krijojnë gjëra të tilla. Ata po përhapin vetëm panik dhe konfuzion. Është sikur disa nuk duan që procesi të ketë sukses … histori e montuar plotësisht. Krejtësisht”, ishte reagimi i Çitakut.

Kujtojmë që takimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, u zhvillua të hënën në Uashington.

Thaçi tha për mediat në Kosovë se në takim është diskutuar për “domosdoshmërinë e një zgjidhje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi” dhe për “mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien./Gazeta Sinjali/