Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të grabitjes që ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në rrugën “Fehmi Agani” në Gjilan, ku në marketin “Tina” një person i armatosur ka arritur të marrë arkën me para, por plani nuk i shkoi siç deshi. Punëtorët e marketit arritën ta ndalnin derisa Policia intervenoi dhe e arrestoi. I njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sadat Ismajlin, 40-vjeçar, i cili kishte hyrë në market i maskuar dhe nën kërcënimin e armës tentoi të grabis, por rezultoi pa sukses.
Ndonëse mori arkën me para dhe i terrorizoi punëtorët që ndodheshin në lokal, ai nuk ka arritur të ikë, pasi fillimisht i dyshuari është konfrontuar me të njëjtit, të cilët arritën ta ndalin, duke e vënë nën kontroll derisa Policia doli në vendin e ngjarjes.
Posa njësiti policor ka arritur në lokacion, e kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ndërsa armë është konfiskuar. Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.