image Goran Rakiq, Danijela Vujiçiq dhe dy serbë të tjerë nga Kosova në listën e Vuçiqit për deputetë të Serbisë

Rajon

Goran Rakiq, Danijela Vujiçiq dhe dy serbë të tjerë nga Kosova në listën e Vuçiqit për deputetë të Serbisë

news image

Komisioni Zgjedhor i Serbisë shpalli sot listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” të kandidatëve për deputetë të Kuvendit Popullor në zgjedhjet e planifikuara për 17 dhjetor.

Në këtë listë janë disa kandidatë nga Kosova, ndër të cilët edhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Përveç tij, në listën e partisë së Vuçiqit SNS të miratuar sot janë edhe disa kandidatë serbë nga Kosova.

Në këtë listë janë gjithsej 250 kandidatë për deputetë. Prej tyre, katër serbë të Kosovës, të cilët banojnë tre në Mitrovicë dhe një në Graçanicë, raporton KoSSev.

Në pozitën e 27-të është kryetari i fundit i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili thuhet se është i diplomuar për ekonomi.

Rakiq, i cili tani do të provojë fatin e tij në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, për të marrë një mandat parlamentar, ka marrë pjesë në proceset zgjedhore të Kosovës në vitet e kaluara.

Si kryetar i Listës Serbe ka qenë kryetar i Mitrovicës së Veriut, e më pas nga pushteti lokal kaloi në atë qendror.

Ai ishte ministër i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, e më pas ministër për Komunitete dhe Kthim deri në nëntor të vitit të kaluar, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, që nga 24 tetori, kur u formua kryesia e re e Listës Serbe, në krye me mjekun Zlatan Elek, Rakiq nuk është më kryetar i kësaj partie.

Në listën zgjedhore me emrin e presidentit serb ishte edhe Danijela Vujiçiq, e cila u zgjodh edhe deputete e Partisë Progresive Serbe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. Vujiçiq ishte edhe kryetare Ekipit Menaxhues për draftin e Asociacionit. Tani është në vendin e 42-të në listën zgjedhore të SNS-së.

Një tjetër serb i Kosovës që ishte në listë, në vendin e 82-të, Dejan Gureshiq. Ish-kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore, ai është dekan aktual i Fakultetit të Shkencave dhe Matematikës në fakultetin paralel në Mitrovicë.

E 98-ta në listë është kandidatja e vetme me vendbanim në jug të Ibrit – në Graçanicë, Sonja Iliq, mjeke nga Graçanica.

/GazetaSinjali/