image Gola: Qeveria Kurti ndodhet në mes dy alternativave, të shantazhohet ose të këmbëngulë

Politikë

Gola: Qeveria Kurti ndodhet në mes dy alternativave, të shantazhohet ose të këmbëngulë

news image

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, duke folur për grevën në arsim tha se Qeveria Kurti aktualisht ndodhet në mes të dy alternativave.

E para sipas tij është këmbëngulja për të mos rënë në pozita shantazhuese dhe e dyta të ndajë edhe 50 eurot e kërkuara nga SBASHK-ut, “sipas logjikës së një shteti të shantazhueshëm”.

Këto deklarata Gola i bëri të enjten, në seancën e Kuvendit, ku mes tjerash shtoi se nuk ka dallim mes shantazhit dhe grevës, kur kjo e fundit përdoret për të bllokuar çdo funksion etik të një institucioni.

“Në këtë kontekst, Qeveria Kurti është ndërmjet dy alternativave; këmbënguljes që të mos bie në pozita të shantazhueshme por çmimi i kësaj do të ishte vazhdimi i vuajtjes së pasojave te fëmijët dhe në anën tjetër një zgjidhje afatshkurtër e cila në trajtën e logjikës së pushteteve të kaluara e tregton edhe këtë 50 eurosh dhe rikthehet procesi mësimor, por pasojat janë afatgjata pra logjika e riprodhuar e një shteti të shantazhueshëm”, tha ai.

Deputeti i pozitës tutje tha se greva duhet të ndërpritet pasi kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë përmbushur, ndërsa ato që kanë mbetur mund të plotësohen përmes presionit sindikal.

“Më duhet të shprehi një solidarizim kolegial dhe njerëzor me mësimdhënësit se e kuptoj që nuk është e lehtë të përballosh një tematizim të stërkequr publik për interesat e tyre. Unë dje i kam pasur në Komision përfaqësuesit e SBAShK-ut dhe Këshillit Grevist dhe mendoj se si mazhorancë kemi treguar maturi të diskutimit për problemet e tyre”.

“Unë u binda që përmbushja dhe adresimi i kërkesave sindikale deri sot nga Qeveria në asnjë rrethanë nuk janë të atij niveli që të arsyetojë vazhdimin e grevës në këtë formë. Për pjesën që ka mbetur pa u realizuar, do të mund të lehtë të vazhdojnë me presionin sindikal por jo me grevë sikur tani. Jam i bindur që për këto kërkesa që iu kanë mbetur pa realizuar mund të vazhdojë me presion sindikal, por jo me bllokadë totale”. u shpreh deputeti.

/GazetaSinjali/