Gazeta Sinjali raportoi sot për një incident që ndodhi mesditën e së premtes në fshatin Janqist të Malishevës, ku një person dyshohet se u godit me armë dhe për pasojë përfundoi në spital. I dyshuari u arrestua dhe ndaj tij u lëshua aktvendim për ndalim.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Idriz Sopaj, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka goditur kushëririn e tij me armë derisa ishte afër shtëpisë së tij.
Pasi i njëjti është dërguar në spital për trajtim mjekësor, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka konfiskuar një gëzhojë, armën që dyshohet të jetë përdorur në rast, si dhe e ka shoqëruar të dyshuarin në stacion policor.
Nga deklarata e të dyshuarit është kuptuar se motivi i rastit ka qenë një zënkë për shkak të qenit të viktimës, për të cilin i dyshuari pretendon se i ka shkaktuar dëme në oborrin e shtëpisë.
Pas mbledhjes së informacioneve dhe marrjes së deklaratës edhe të viktimës, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.