Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha ka folur sot në konferencë për media para ndeshjes së nesërme me Zvicrën, ndeshje kjo të cilën e cilësoi tejet të vështirë.
Gliha beson se vështirësia e kësaj ndeshje është ashtu sikurse që ishte ajo e kaluara në Prishtinë.
“Absolutisht se do të jetë një ndeshje goxha e vështirë. Ne kemi pasur një përballje me Zvicrën të cilën e kemi luajtur në Prishtinë, ka qenë lojë shumë e fortë me rezultat të ngushtë 1:0, 1:1, 2:1, dhe 2:2 në fund dhe ka qenë ndeshje shumë e fortë dhe kështu do të jetë edhe nesër”, tha trajneri, Gliha.
Në këtë konferencë, ai po ashtu tregoi edhe bisedën me lojtarët dhe porosinë që ia dha.
“U kam thënë futbollistëve që nesër nëse do të arrijmë rezultat pozitiv duhet të jemi shumë intelegjent në mënyrën se si do të luajmë sepse do të jetë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari të fortë”, tha Gliha.
Kombëtarja e Kosovës nesër me fillim nga ora 20:45 do ta zhvillojë ndeshjen si mysafire kundër Zvicrës, e vlefshme kjo për kualifikimet e Kampionatit Evropian Euro 2024.