Edhe pse komunikata e Policisë dhe Prokurorisë pretendonte se gjyqtari Sali Berisha është arrestuar me dyshimin për marrje ryshfeti, vet Prokuroria e demantoi ketë me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Burime nga Gjykata Themelore në Prishtinë për Gazetën Sinjali kanë bërë të ditur se Prokuroria Speciale në kërkesën e tyre për caktimin e masës së paraburgimit, ka parashtruar se për gjyqtarin Sali Berisha ekziston dyshimi i bazuar vetëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, raporton Gazeta Sinjali.
Në seancën dëgjimore që është mbajtur pasditen e sotme, avokati Gëzim Kollqaku e ka konsideruar montim rastin ndaj klientit të tij Sali Berishës.
Kollqaku ka hedhur poshtë çdo mundësi që Sali Berisha të ketë keqpërdorur pozitën e tij për të marrë ryshfet siç pretendohet. Ai ka thënë se ky është një rast i montuar ndaj tij.
Si dëshmi avokati ka përmendur se personi që ka ngritur në grackë, Sali Berishën, nuk kishte pasur asnjë rast të tij gjyqësor. Madje, as vëllai i personit që ka futur në grackë nuk kishte pasur asnjë rast që është duke u trajtuar nga gjykatat, raporton Gazeta Sinjali.
Vëllai i personit që sipas avokatit ka përfshirë, Berishën në këtë rast ishte dënuar rreth 7 vite më parë, por që rasti ishte mbyllur pasi ishte pranuar fajësia nga i akuzuari.
Më tutje avokati ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi që Berishës t’i caktohet masa e paraburgimit. Në anën tjetër edhe vet Sali Berisha, para gjykatësit të rastit ka thënë se ky është rasti i montuar ndaj tij dhe se me personin në fjalë ishte takuar për t’i kërkuar që të mos e telefononte më.
Berisha më tutje ka thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë që ky rast të zbardhet si dhe të dorëzojë dokumentacionet si dëshmi se nuk do të largohet nga vendi.
Berisha është arrestuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa ndaj tij është ngritur dyshimi edhe për armëmbajtje pa leje, çka avokati i Berishës ka thënë se nuk i takon atij, por e një anëtari tjetër të familjes./Gazeta Sinjali/