image Gjyq i hapur ndaj ushtarit të parë rus të akuzuar për krime lufte - Sinjali

Gjyq i hapur ndaj ushtarit të parë rus të akuzuar për krime lufte

news image

Gjyqi i parë i një ushtari rus të akuzuar për krime lufte për vrasjen e një civili ukrainas gjatë pushtimit të të Rusisë është hapur në Kiev.

Dhjetra gazetarë u futën brenda një sallë gjyqi të vogël në kryeqytetin ukrainas, ku i dyshuari u shfaq në brenda një dhome të ndarë me xham për fillimin e një gjyqi që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare mes akuzave për mizori të përsëritura nga forcat ruse.

Rreshteri Vadim Shishimarin, 21 vjeç, akuzohet për vrasjen e një civili 62-vjeçar që po ngiste një biçikletë në fshatin Çupakivka në rajonin verilindor të Sumy, një krim për të cilin ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Vrasja ndodhi vetëm disa ditë pas nisjes luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.

Shishimarin, një anëtar i një njësie tankesh që u kap nga forcat ukrainase, pranoi se qëlloi biçiklistin në një video të postuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës.

“Më urdhëruan të qëlloja,” tha Shishimarin, për vrasjen e 28 shkurtit.

“Unë qëllova një (plumb) në të. Ai ra. Dhe ne vazhduam përpara”.

Deklarata me video e Shishimarinit është “një nga rrëfimet e para të pushtuesve”, sipas shërbimit ukrainas të sigurisë, raporton REL.

Prokurorja e Përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova muajin e kaluar identifikoi 10 ushtarë të brigadës së 64-të të këmbësorisë të forcave të armatosura ruse, duke thënë se ata dyshohen për “mizori ndaj civilëve dhe krime të tjera lufte”, duke shtuar se hetuesit ukrainas vazhdojnë të mbledhin prova dhe ata të përmendurit ishin vetëm të parët.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin