Gjykata Speciale ka caktuar 15 shtatorin si datë për nisjen e procesit gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Kështu kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shtuar se prokurori do të ketë në dispozicion tre orë për deklaratën e tij hyrëse ndërsa përfaqësuesja e viktimave një orë e gjysmë.
Dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokurori i Specializuar do të dëgjohen midis të hënës, 20 shtator 2021 dhe të martës, 28 shtator.
Ky është rasti i parë për të cilën do të fillojë procesi gjyqësor para Dhomave të Specializuara.
Aktakuza e konfirmuar kundër Salih Mustafës thotë se ai është përgjegjës për disa krime, si tortura dhe keqtrajtim ndaj të paktën gjashtë personave në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999 në fshatin Zllash ku operonte një qendër burgimi.
Mustafa i njohur si Cali ishte arrestuar dhe ekstraduar në Hagë më 24 shtator me urdhër të gjykatës pasi aktakuza ishte konfirmuar.