image Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt vazhdon më 11 janar

Drejtësi

Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt vazhdon më 11 janar

news image

Mbrojtja e Nasim Haradinajt në deklaratën hapëse para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se Haradinaj nuk i ka penguar hetimet dhe as punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja ka deklaruar se Haradinaj beson që është në interes të popullit të Kosovës të mësojë që ZPS-ja ka bashkëpunuar me njerëz të kërkuar nga Interpol-i dhe nga institucionet e Kosovës.

Deklarata e mbrojtjes është përgatitur nga kryesuesi i ekipit, Toby Cadman, por për shkak të infektimit me COVID-19, ai nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit.

Deklarata është lexuar nga një tjetër avokat ku ndër të tjera është thënë se provat të cilat do të paraqiten në emër të Haradinajt do të dëshmojnë që ai nuk ka bërë kërcënime kundër dëshmitarëve të mbrojtur apo viktimave.

Në deklaratë është thënë se Nasim Haradinaj nuk është fajtor për asnjë nga pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë në muajin janar.

Trupi gjykues e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt për shtyrjen e gjykimit dhe ka urdhëruar që paraqitja e provave në çështjen Haradinaj të fillojë më 11 janar 2022.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, raporton KP.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./GazetaSinjali/