Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj G.M., për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste, njofton Gazeta Sinjali.
Kjo për shkak të një postimi të G.M. në rrjetin social “Facebook”, që kishte bërë thirrje për djegien e zyrës së Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Hajrizi-Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, ai është dënuar me 1 vit burgim me kusht, nëse në periudhën verifikuese prej 2 vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Gjithashtu, të akuzuarit G.M, i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, ndërsa sipas aktgjykimit thuhet se nëse G.M. nuk e respekton këtë masë, e njëjta do ti zëvendësohet me masë të trajtimit psikiatrik në ndalim.
Ndërkaq, në seancën e kaluar, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu ka konstatuar ndryshimin e aktakuzës lidhur me kompetencën për shkak se kjo lëndë kishte kaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ajo ka tërhequr nga aktakuza, propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyruar psikiatrik në liri.
Ndryshe, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 28 maj 2020, me të cilin ishte vlerësuar se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi, që e kishte mandatuar për kryeministër Avdullah Hotin, është në harmoni me Kushtetutën, kishte shkaktuar reagime të shumta pro dhe kundër.
Pas këtij vendimi, G.M., më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, kishte publikuar një status në rrjetin social “Facebook”, përmes të cilët kërkonte që të digjej zyra e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi.
“Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, kishte shkruar G.M.
Ky publikim i të akuzuarit ka ndikuar që ndaj tij, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 22 qershor 2020, të ngrisë aktakuzë, me të cilën e ka ngarkuar atë për vepër penale terroriste.
Lidhur me pretendimet e prokurorisë, i akuzuari deklaroi se e pranon gabimin që ka bërë me postimin në “Facebook”, por nuk ndihet fajtor për akuzën e prokurorisë.
“Nuk e konsideroj vetën fajtorë për një koment privat që e kam bo, por gabimin e pranoj. Kur ka ardhë prokuroria në shpi nuk kanë gjetë kurgjo as armë e as sen”, tha i akuzuari.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Muhamet Halimi, përpos që paralajmëroi se do të ushtroj kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, i kërkoi gjykatës që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, të merr vendim me të cilin të akuzuarin do ta lironte nga paraburgimi.
Kujtojmë që Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 22 qershor 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj G.M., duke pretenduar se i akuzuari më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, me qëllim të organizimit për kryerjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social “Facebook”, ka publikuar komentin e tij “Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, dhe ky koment ishte shpërndarë nëpër mediat elektronike. /Gazeta Sinjali/