image Gjykata urdhëron Bosnjën të largojë kishën nga prona e një banoreje myslimane

Botë

Gjykata urdhëron Bosnjën të largojë kishën nga prona e një banoreje myslimane

news image

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka urdhëruar autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë që të heqin një kishë ortodokse serbe të ndërtuar në oborrin e një gruaje myslimane, pasi ajo u detyrua të ikte gjatë luftës, në vitet 1992-95.

Vendimi, i shpallur nga Gjykata më 1 tetor, ka të ngjarë të përfundojë një betejë të gjatë ligjore të iniciuar nga Fata Orloviq dhe 13 anëtarët e familjes së saj, që shpëtuan nga masakra e Srebrenicës në vitin 1995.

Gjykata vendosi që ndërtimi i kishës më 1998 ishte i paligjshëm dhe urdhëroi autoritetet që të siguronin heqjen e saj brenda tre muajve dhe të paguanin dëmshpërblim 5000 euro për Orloviqin dhe 2,000 euro për të afërmit e saj.

Fata Orloviq, 77 vjeçare mirëpriti vendimin e Gjykatës.

Ajo i tha Shërbimit të Ballkanit të REL se ” nuk është kundër ndërtimit të një kishe, por kundër atyre që e ndërtuan në pronën e saj”.

Orloviq tha se çështja duhet t’u dërgojë një mesazh të gjithëve se ata duhet të vazhdojnë të “luftojnë për atë që është jotja”.

Familja Orloviq ka luftuar në procese gjyqësore për ta hequr kishën që nga viti 2000, kur u kthyen në fshatin në Bosnjën lindore, rreth 20 kilometra në lindje të Srebrenicës.

Serbët më 1993 dëbuan të gjithë banorët myslimanë të Konjeviç Polje në Srebrenicë, një zonë e sigurisë e Kombeve të Bashkuara, duke vrarë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë, në atë që shihet si masakra më mizorë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dy gjykata ndërkombëtare e shpallën masakrën si gjenocid.

Situata e kësaj familje nxjerr në pah një nga çështjet e shumta me të cilat përballen qindra mijëra njerëz që ikën nga spastrimi etnik gjatë luftës në Bosnje, por tani po kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.

/Gazeta Sinjali/