Drejtuesit e partive politike në vend mund të shkunden sërish nga Gjykata Supreme, sa i përket fuqisë përfaqësuese në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.
Vendimi i Supremes, që ka gjasa të zyrtarizohet sot, mund t`i prishë sërish matematikat rreth mandateve të deputetëve të partive politike, të cilat ndryshuan me vendimin e fundit të PZAP-it, duke ia mundësuar Nismës Socialdemokrate kalimin e pragut.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Gjykata Supreme është duke diskutuar që ta shfuqizojë vendimin e PZAP-it i cili i shpalli të pavlefshme votat e ardhura nga Serbia.
Sipas këtyre burimeve, deri më tani, në Gjykatën Supreme është duke dominuar mendimi që të ndryshohet vendimi i PZAP-it dhe të pranohen votat e listës serbe. Sipas tyre, argumentet juridike janë në favor të ankuesve, ndërkaq ato faktike edhe më tutje favorizojnë vërtetimin e vendimit të PZAP me të cilin u hodhën poshtë votat e ardhura nga Serbia.
Sidoqoftë ende nuk ka një qëndrim të finalizuar dhe vendimi definitiv i Gjykatës Supreme pritet të shpallet gjatë orëve në vijim.
Nëse Supremja zyrtarisht hedh poshtë vendimin e PZAP-it, Nisma Socialdemokrate sërish mund të mbetet jashtë kuvendit pasi nuk do të arrinte ta kalonte pragun.
Në një rast të tillë, e vetmja shpresë për këtë subjekt mbetet procesi i rinumërimit të 1,472 vendvotimeve i cili tashmë ka filluar.
Sipas vendimit të PZAP-it, aktualisht VV ka 29 deputetë, LDK-ja 28 deputetë, PDK-ja-24, Koalicioni AAK-PSD 13 ndërsa Nisma Socialdemokrate e kalon pragun dhe përfaqësohet në Kuvend me 6 deputetë.
Ndërsa nëse shfuqizohet vendimi i PZAP-it dhe pranohen votat e listës serbe nga Supremja, të paktën deri në rinumërimin e rreth 1,500 vendvotimeve, fuqia përfaqësuese e subjekteve politike në Kuvend do të jetë sërish: VV 32 deputetë, LDK 29 deputetë, PDK- 25 deputetë dhe AAK-PSD, 14 deputetë ndërsa Nisma Socialdemokrate do të mbetet jashtë Kuvendit. /Gazeta Sinjali/