image Gjykata Speciale shpall sot vendimin për Gucatin dhe Haradinajn

Drejtësi

Gjykata Speciale shpall sot vendimin për Gucatin dhe Haradinajn

news image

Sot do të shpallet aktgjykimi në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ku të njëjtët akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Të akuzuarit vazhdojnë të gjenden nën masën e paraburgimit në selinë e paraburgimit në Hagë dhe tanimë janë në pritje të shqiptimit të vendimit të gjykatës.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

/GazetaSinjali/