image Gjykata Speciale kryen bastisje edhe në banesën e Blerim Shalës

Drejtësi

Gjykata Speciale kryen bastisje edhe në banesën e Blerim Shalës

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për një operacion të ndërmarrë sot nga Gjykata Speciale, që është duke u realizuar në Prishtinë, ku tashmë kanë filluar bastisjet. Përveç Bashkim Smakajt, ish shef i AKI-së, që ishte dikur edhe këshilltar i ish presidentit Thaçi, Sinjali mëson se edhe një tjetër këshilltar i tij ishte sot cak i Speciales.

Sipas informacioneve të Sinjalit, Specialja ka kryer kontroll edhe në banesën e Blerim Shalës, i cili ka qenë pjesë e Zyrës së Presidentit, në cilësinë e këshilltarit politik të Hashim Thaçit.

Shala ka qenë nënkryetari i AAK-së dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, e më pas ka mbajtur postin e koordinatorit për bisedime me Serbinë, derisa u emërua këshilltar i ish presidentit.

Gjatë bastisjeve që janë kryer, të njëjtat burime thonë se janë sekuestruar prova të ndryshme, duke përfshirë dokumente dhe telefona.

Aksioni është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Sinjali mëson se rasti lidhet me procesin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/