Zëvendësministri në detyrë në Ministrinë e Diasporës, Isni Kilaj, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.
Këtë e ka konfirmuar vetë Kilaj përmes një postimi në Facebook, ku tha se sot ka marr një fletëthirrje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për të dëshmuar për UÇK-në.
“Të dashur ushtarë e bashkëluftëtarë të mi, sot mora Fletëthirrje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për të dëshmuar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Unë po e shoqëroj këtë njoftim me fjalimin tim të mbajtur në Carrallukë në vorrimin e Heroit të Kombit Imer Krasniqi”, Ka shkruar ai, transmeton Gazeta Sinjali.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme u konfirmua se Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla.
Vetëm gjatë javës së kaluar, tetë ish komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë të ditur se janë ftuar për intervistim nga Specialja, ndërkohë që deri më tash, numri i përgjithshëm i të ftuarve për intervistim nga kjo gjykatë ka arritur mbi 100./Gazeta Sinjali/