Gjykata Speciale e ka caktuar konferencën e ardhshme për krerët e OVL UÇK-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të tyre, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj do të dalin para Speciales me datë 8 janar të vitit 2021, gjersa në atë ditë do të mbahet konferencë për ecurinë në këtë çështje.
“Prokurori k. Gucatit&Haradinajt – Paraqitje e mëtejshme/Konferencë për ecurinë në çështjen Haradinaj 15:00”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.