image Gjykata refuzon kërkesën e prokurorisë për t'ia caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit që kërcënoi vëllezërit e tij

Drejtësi

Gjykata refuzon kërkesën e prokurorisë për t’ia caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit që kërcënoi vëllezërit e tij

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për t’ia caktuar masën e paraburgimit të pandehurit A.L., të dyshuar për “Kanosje”, duke e liruar në procedurë të rregullt, raporton Gazeta Sinjali.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Degës në Kaçanik – Burhan Berisha, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, kërkesën prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka refuzuar si të pabazuar, pasi që, sipas tij, me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se i njëjti më 2 gusht të këtij viti, në Komunën e Kaçanikut, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit i kanos seriozisht me fjalë se do t’i privojë nga jeta të dëmtuarit E.L. dhe Q.L.

Berisha ka vlerësuar se prokuroria nuk ka pasur prova për ta bazuar dyshimin që ai ka kanosur vëllezërit e tij me fjalët “Dilni prej shpisë që na kanë lënë prindërit, se ndryshe do t’u vras, do të bëhet keq e më keq“, duke u shkaktuar atyre shqetësim dhe frikë.

Gjykata vlerëson se në këtë rast, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, si kusht themelor për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe edhe po të përmbushej ky kusht, prapë nuk do të ishin përmbushur kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), pasi për caktimin e masës së paraburgimit kërkohet që në mënyrë kumulative të plotësohen disa kushte të përcaktuara me KPPRK./Gazeta Sinjali/