Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur sot aktgjykimin ndaj S.Sh., të akuzuarës për “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, raporton Gazeta Sinjali.
S.Sh., është shpallur fajtore për këtë vepër dhe është dënuar me dy vjet burgim me kusht, mirëpo ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda tri viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.
“Nëse e akuzuara S.SH. gjatë kohës së verifikimit kryen një apo më shumë vepra penale, dënimi me kusht i shqiptuar mund të revokohet, ashtu që në dënimin e vërtetuar me burgim në kohëzgjatje prej dy viteve, do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga data 17.07.2021 deri më 16.08.2021”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Po ashtu, ajo është urdhëruar që të vizitohet te psikologu ose te këshilluesit e tjerë dhe të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre për dy vjet, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./GazetaSinjali/