Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit E.M., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, raporton Gazeta Sinjali.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se me datë 06 Qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, komuna Ferizaj, i pandehuri E.M., duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika” nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor.
Sipas gjykatës, E.M., duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, i cili ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.
Si pasojë e këtij aksidenti pësuan lëndime vdekjeprurëse drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur.
Ndërsa, ka mbetur e lënduar pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftim.
Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar dhe ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit as dëshmitarët tjerë të mundshëm dhe e dëmtuara, e cila është në gjendje të rëndë dhe gjendet për tretman mjekësor në QKUK.
Andaj, mbi këto arsye gjykata vlerëson se po të gjendet në liri mund të ndikojë te të njëjtit, në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, kësisoj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë veçanërisht në të dëmtuarën e mitur./Gazeta Sinjali/