image Gjykata merr vendim për Jeton Vlasaliun, të dyshuarin për rrëmbimin e Bedri Rexhepit

Drejtësi

Gjykata merr vendim për Jeton Vlasaliun, të dyshuarin për rrëmbimin e Bedri Rexhepit

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Jeton Vlasaliut, i dyshuar për rrëmbimin e Bedri Rexhepit, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo masë, sipas njoftimit të gjykatës, do të llogaritet nga data 13 prill deri më 13 maj të këtij viti.

Askush nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të Rexhepit që nga mbrëmja e 8 prillit, nga kur ai nuk u është përgjigjur as thirrjeve.

Ndërsa, më 9 prill vetura e tij është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë.

Në kërkesën e siguruar nga Gazeta Sinjali thuhet se deklarata e Jeton Vlasaliut që e ka dhënë në polici është krejtësisht kontradiktore me gjendjen faktike që ka rezultuar nga hartografia e telefonit të tij.

Pasi që nga hartografia e telefonit të tij, në këtë dokument, thuhet se Vlasaliu ditën e zhdukjes së Rexhepit ka qenë në Llabjan dhe Slivovë, Sllatinë dhe Babush, Konjuh dhe Lipjan, si dhe Hajvali, por i njëjti në polici e ka mohuar se ka vizituar këto lokacione.

Prokuroria dyshon se rrëmbimi i Rexhepit mund të jetë kryer në ndonjërin nga lokacionet e lartcekura, pasi që vetura e tij është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/