Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy serbëve R.P dhe D.O, të cilët u arrestuan nga Policisë së Kosovës si pasojë e dhunës që ushtruan ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestën e ditës së hënë në Zveçan, shkruan Gazeta Sinjali.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, gjatë ditës së sotme një ushtar i KFOR-it në Zveçan ia ka përmendur kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, disa herë dhunën që ndodhi në Zveçan gjatë ditës së hënë, duke shtuarr dhe se ushtarëve të KFOR-it u janë nxjerrë plumba, pasi u plagosën me armë zjarri.
“25 ushtarë. 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur. Disa prej tyre kishin plagë me armë zjarri. Disa ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga arma e zjarrit, u janë nxjerrë plumba, jo shumë larg nga aty ku folëm të hënën mbrëma. Shenjat në plumba tregojnë se është shtënë me të nga një armë, të cilën nuk e ka NATO apo KFOR-i. Armët që kanë shtënë ato plumba nuk kanë qenë këtu. Kam ushtarë të cilëve u janë nxjerrë plumba. Është absolutisht e papranueshme”, ka thënë ushtari të mërkurën në Zveçan, në një bisedim me krerët e Listës Serbe.