image Gjykata merr vendim për 6 personat që planifikonin sulme terroriste në Kosovë

Kosovë

Gjykata merr vendim për 6 personat që planifikonin sulme terroriste në Kosovë

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër gjashtë të akuzuarve B.B., R.K.,G.SH.,E.H.,A.A. dhe L.M., të cilët sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës kishin paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën Veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

I akuzuari i parë B.B. është shpallur fajtor dhe dënuar me dhjetë vjet heqje lirie për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe veprën penale Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit.

R.K. është shpallur fajtor dhe dënuar me 4 vjet burg për veprën penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.

I akuzuari i tretë G.SH. është shpallur fajtor dhe dënuar me 7 vjet burg për veprën penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe veprën penale rekrutimi për terrorizëm.

E akuzuara E.H. është shpallur fajtor dhe dënuar me 1 vit për veprën penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Me një vit e gjysmë burgim është dënuar  A.A.  për veprën penale mos lajmërimi i përgatitjes se veprave penale, ndërsa L.M. me dy vjet e tre muaj për veprën penale mos lajmërimi i përgatitjes se veprave penale dhe  mbajtja në pronësi, kontroll  ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarve B.B., R.K. dhe G.SH. iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, ndërsa të akuzuarve A.A. dhe L.M. iu është ndërprerë masa e paraburgimit sot.

Po ashtu, ndaj të akuzuarit B.B. është  shqiptuar edhe dënimi plotësues konfiskimi i shumës së të hollave prej 9,001.46 euro, të cilat kanë qenë të dedikuara për financim të terrorizmit e të sekuestruara sipas urdhëresës së kësaj gjykate.

Nga i akuzuari L.M. konfiskohen armët e zjarrit, një pushkë automatike me nr. serik: 53815 me dylbi dhe 40 fishekë të kalibrit 7.65 mm.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.