image Gjykata Kushtetuese i përgjigjet kërcënimit të Qeverisë

Gjykata Kushtetuese i përgjigjet kërcënimit të Qeverisë

news image

Gjykata Kushtetuese ka dënuar qasjen e Qeverisë në krye me Albin Kurtin, në vendimet e marra sot në seancën shqyrtuese, ku më i rëndësishmi ishte pezullimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi lidhur me mandatimin e Avdullah Hotit, për kryeministër të ardhshëm.

Pak minuta pasi dje presidenti Hashim Thaçi njoftoi publikisht se e ka dekretuar të propozuarin e LDK-së, Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, iu drejtua menjëherë Gjykatës Kushtetuese. Ku kjo e fundit vendosi sot në favor të tyre, duke e pezulluar dekretin e presidentit deri më 29 maj.

Në pikën e 16-të në vendimet e Gjykatës nga seanca shqyrtuese e mbajtur sot, Gjykata Kushtetuse thekson se qasja e Qeverisë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, thekson Gjykata, transmeton Gazeta Sinjali.

Ndërsa, në pikën e 17-të, Gjykata ia rikujton Qeverisë që është organ i pavarur dhe nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor.

“Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftimin e Gjykatës. /Gazeta Sinjali/