Luani në Zhegër të Gjilanit që ishte futur ilegalisht në Kosovë, po vazhdon të qëndrojë tek biznesmeni i njëjtë, përkundër që Gjykata Themelore e Gjilanit, ka marrë vendim për sekuestrimin e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Përderisa nuk dihet prejardhja e luanit dhe as mënyra sesi është futur në Kosovë, ai po vazhdon t’i argëtojë klientët e njërit prej restoranteve në Gjilan. Luani vazhdon të jetë atraksion për vizitorët, ashtu siç është edhe fitimprurës për pronarin.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një përgjigje për Gazetën Sinjali, kanë thënë se pronari i luanit nuk i ka dokumentet përkatëse për importimin e luanit dhe se kafsha ka hyrë ilegalisht në Kosovë.
Në përgjigje thuhet se Gjykata Themelore e Gjilanit ka nxjerrë vendim për sekuestrimin të luanit, por që i njëjti mbetet përkohësisht tek biznesmeni.
“Meqenëse pronari nuk është i pajisur me dokumentacionin përkatës nga ana e MMPH-së dhe gjithashtu ka hyrë ilegalisht në territorin e vendit, atëherë me rastin është duke u marrë Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Gjilan, të cilët kanë nxjerrë vendim për sekuestrim të përkohshëm të tij. Luani i sekuestruar mbetet përkohësisht nën përkujdesjen e pronarit deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata”, ka thënë zyra për media e kësaj ministrie.
Siç njoftojnë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, inspektorët e kësaj ministrie kanë bërë kërkesë për kundërvajtje.
“MMPH ka përgatitur kërkesën për Sekretariatin e CITES që të na ofroj një zgjidhje lidhur me këtë rast. Inspektorati i MMPH-së ka iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje”.
Anipse luani është i kontrabanduar, gjendja e tij shëndetësore është e mirë.
“Gjithashtu nga vizitat e vendit ku mbahet luani deri më tani ka konstatuar se luani është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka pasur përkujdesje të mirë nga ana e pronarit”.
Zëdhënësi i Agjencinë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, kohë më parë kishte deklaruar për Gazetën Sinjali se AUV nuk posedojnë asnjë të dhënë se kjo kafshë e egër i është nënshtruar kontrollit dhe se nuk ka ardhur me dokumente.
Lamir Thaçi ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk e kanë certifikatën e origjinës dhe as nuk kanë marrë leje të importit për kafshën në fjalë.
“Ky Luan nuk i është nënshtruar kontrollit tonë, nuk ka ardhur me dokumente, nuk i është nënshtruar kontrollit tonë, nuk ka ardhur me dokumente, me certifikatë të vendit të origjinës, as nuk ka marrë leje të importit te na. Për neve është kafshë e cila nuk ka ardhur përmes procedurave ligjore”, ka thënë Thaçi.
“Ne i kontrollojmë vetëm ngarkesat zyrtare, ngarkesa që vijnë me letra, inspektorët ose në pikë kufitare ose në terminal doganor i kontrollojnë, ndërsa në kufi janë doganat dhe policia”.
Poashtu zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ditë më parë kishte deklaruar se nuk kanë të dhëna se kafsha i është nënshtruar kontrollit doganor./Gazeta Sinjali/